
Kukësi luan nesër në 13:45 me Laçin në stadiumin e Kamzës. Ndeshja vlen për javën e tretë të Superligës, ndërsa para medieve trajneri Diego Longo i verilindorëve nuk i sheh të tijtë si favoritë për vetë ecurinë e sezonit të shkuar.
"Pas dy javësh nuk ekziston një kryesues. Ka vetëm favoritë dhe ne nuk jemi, sepse nuk mund të kalosh nga një kampionat në tjetrin, në dy muaj distancë dhe 21 pikë diferencë e të jesh favorit. Të tillë janë Vllaznia, Teuta, që luajnë dhe mirë e janë të organizuar. Partizani, Laci, që sigurisht është mbi ne, sepse vitin e kaluar fitoi 3 në 4 ndeshje me shumë pikë avantazh. Kështu që në do t'i marrim ndeshjet me radhë.
Sigurisht Laçi është favorite. Një skuadër që ka shumë nga lojtarët e vitit të kaluar, ku bënë shumë më mirë se Kukësi. Kështu që janë ata favoritët. Janë nën presion, sepse kanë bërë 1 pikë në dy ndeshje e nëse nuk do të fitojë me ne, për ta do të ishte katastrofë.
Fatkeqësisht ka edhe faktorë të tjerë, por nuk duhet të jenë alibi mungesat, dëmtimet. Kemi problem, por kam 21 lojtarë dhe për mua janë të gjithë titullarë. Mund të jetë rastësi që kanë luajtur të njëjtët, por do të ketë edhe ndryshime, të sforcuara në këtë rast, por kushdo të luajë do të bëjë të vetën dhe jam i qetë.
Fitohet duke dhënë 100%, si gjithnjë, ndoshta edhe pak më shumë, duke qenë se është një skuadër shumë agressive, që është nën presion e do të japë edhe jetën që të fitojë. Natyrisht fitohet edhe me ekuilibër, me qetësi, me durim, duke shprehur lojën tonë e në fund të shohim", tha Longo.