Arinaldo Rrapaj, Tedi Cara dhe Archange Bintsouka janë 3 lojtarë të Partizanit, që në rast ndëshkimi ndaj Egnatias do të humbnin derbin ndaj Dinamos. Secili rrezikon sepse numëron nga 3 kartonë të verdhë.
Rrapaj dhe Cara janë 2 lojtarë, që luajnë sistematikisht dhe nga të cilët pritet shumë. Bintsouka vuante nga një dëmtim, që mesa duket është lënë pas sepse tashmë është pjesë e skuadrës. Golashënuesi i Partizanit këtë sezon është përfshirë me grupin në stërvitje, për këtë mbetet në dorë të stafit teknik nëse do marrë minuta.
Egnatia nuk është një skuadër që mund të injorohet. Partizani ka mbyllur barazim(1-1), dy ndeshjet e kampionatit që janë luajtur mes tyre këtë sezon. Diferenca 10 pikë është gjithashtu një faktor, që detyron Partizanin të futet në fushë vetëm për fitoren.
Kujtojmë se ndeshja me Egnatian luhet të shtunën, ora 16:00. Stadiumi “Arena e Demave” pret kështu supersfidën e javës 22.