
Milani fitoi përballë Fiorentinës mbrëmjen e djeshme me rezultatin minimal 1-0. Ndeshja e zhvilluar në “San Siro” mund të shihet një pikë kthese për kuqezinjtë të cilët morën një 3 pikësh mjaft të rëndësishëm.
Pas kësaj sfide, trajneri i Milanit, Stefano Pioli foli para mediave. Tekniku italian e vlerëson paraqitjen e ekipit, por thekson se nuk ishte ndeshja më e mirë e mundshme që mund të zhvillonin.
“Ne bëmë një paraqitje të mirë, edhe pse nuk ishte jo më e shkëlqyera nga pikëpamja e ritmit dhe cilësisë. Pjesa e parë ishte e mirë, më pas treguam progres nga pikëpamja mendore, duke mos u dorëzuar. Punuam si ekip, bëmë gjithçka që duhej. Kjo fitore do të na japë edhe më shumë forcë dhe akoma më shumë besim”, u shpreh Pioli.
Gjithashtu tekniku italian, foli edhe për një tjetër ndeshje të rëndësishme që i pret të martën përballë Dortmund, në Champions League.
“Ndeshja kundër PSG-së na ka dhënë përsëri shpresë, ne luajmë gjithçka kundër Dortmundit. Djemtë tani e dinë se si përgatiten këto ndeshje, çfarë atmosfere do të ketë dhe ç’paraqitje duhet”, tha më tej trajneri i Milanit.
Stefano Pioli gjithashtu nuk la pa folur dhe për ndeshjen e sotme, derbin e Italisë, atë mes Juventusit dhe Interit, ekipe të cilat shihen si pretendente për titullin kampion.
“Duhet të fitojmë sa më shumë ndeshje për t’u afruar me ata që kemi përballë. Rezultati më i mirë do të ishte një barazim, por varet vetëm nga ajo që bëjmë ne”, e mbylli fjalën e tij tekniku italian.