
Luciano Spalleti ka folur për CONI, për ecurinë e ekipit që ai drejton, Napolit. Tekniku është shprehur optimist për vazhdimësinë e rezultateve. Gjithashtu ai ka zbuluar se cili është “frymëzimi” i këtij Napoli dhe ai është Maradona. Spalleti ka “thurur elozhe” edhe për yllin e këtij sezoni Kvarastkhelia duke e krahasuar me Salah.
“Ne e kemi Maradonën këtu”, shprehet Spalleti. “E kemi në dhomat e zhveshjes një statujë të tij, të cilën shumë shkojnë edhe e prekin. Edhe unë e bëj këtë gjë sepse duam të sjellim cilësi në ekipin tonë; ai është dikush që ka fituar përmes lojës, cilësisë, përmes gjithë atyre gjërave që tifozët pëlqejnë. Duam t’i ngjajmë atij sa më shumë dhe do ta marrim me vete për mësimet që na ka dhënë.
Kvara? Ai është dikush që ka ndjeshmëri në driblim, në marrjen e topit dhe bën truke që janë të vështira për t’u mbrojtur. Momo Salah është një nga ata që e kanë atë kualitet në zona të ngushta. Kvara do të ketë një të ardhme të ndritur.
Si i përballoni emocionet? Nuk e di nëse mund t’i përballoj. Kemi detyrë të kthejmë dashurinë që marrim për këtë sport. Na duhet qetësi, shumë qetësi sepse kemi ende shumë punë për të bërë dhe kemi një numër ndeshjesh që nuk na lejojnë të shpërqëndrohemi”, ka përfunduar Spalleti.