
Ernest Muçi shënoi golin e tij të parë me Legia. Sulmuesi i Kombëtares luajti titullar në ndeshjen e parë të sezonit ndaj Wisla Plock dhe shënoi golin e vetëm duke i dhënë 3 pikë skuadrës së tij. Pas ndeshjes, trajneri i Legias, Czeslaw Michniewicz nuk i ka kursyer elozhet për Muçin, ndërsa u shpreh i lumtur që një gol të tillë e pa gjithë Polonia.
"Ne arritëm të fitonim pas një goli të bukur të Ernest Muçit. Ishte shumë i rëndësishëm ky gol për të. Ky djalë tregon shumë në stërvitje, dhe nuk ka gjithmonë mundësinë ta paraqesë në ndeshje. Mund të jetë një pikë kthese për të. Isha shumë i lumtur pas golit të Muçit. Me vetëdije të plotë vrapova dhe hoqa syzet, duke fërkuar sytë me habi.
Ai shënon gola të tillë në stërvitje dhe unë jam i kënaqur që e gjithë Polonia pa një gol të tillë sot. Ju e shihni se Ernest kujdeset shumë për të bërë paraqitje të mira në skuadër. Sot, ky futbollist ndihet si një person i rëndësishëm në ekip", tha trajneri i Legias.