
Juventus ka fituar me rezultatin minimal 1 me 0 në “Allianz Stadium” kundër Romës. Goli i Rabiot në minutën e 47’, kur sa kishte filluar pjesa e dytë, ka mjaftuar për fitoren e gjithë ndeshjes.
3 pikë shumë të vlefshme këto, që e afrojnë Juventusin në vetëm 2 pikë nga Interi i vendit të parë. Kjo ishte dhe ndeshja e fundit për javën e 18 në Seria A.
Mourinho nuk ka kritika të mëdha për skuadrën e Romës, pasi mendon se ato kanë bërë mirë, sidomos në pjesën e parë. Madje “Special One” flet për superioritet në pjesën e parë, ndërsa thotë se humbën vetëm me rezultat dhe jo në lojë.
A mund të kishit qenë më i mprehtë në pjesën e dytë?
“Ne mund të kishim fituar edhe sot, në pjesën e parë i vetmi ekip në vështirësi ishte Juventusi. I krijuam probleme me pozicionet e Dybala dhe Bove, patëm mundësi dhe patëm një pjesë të parë të nivelit shumë të lartë. Ata shënojnë dhe më pas fillon loja e tyre, janë të mirë në duele individuale, ulin bllokun dhe më pas fillojnë sërish me lojtarët e shpejtë. Në atë moment bëhet e vështirë për ne, për të gjithë. Ata janë një ekip që është i mirë në menaxhimin e kohës së lojës, pastaj Max solli Chiesa që është i shpejtë. E humbëm ndeshjen në rezultat por jo në lojë, pati rritje nga djemtë në planin mendor. Kjo rritje më lejon të luaj lojëra të tilla ndryshe. Nuk kam asgjë negative për t'u thënë lojtarëve të mi”, u shpreh Mourinho.