Ermal Krasniqiu transferua te Cluj në Rumani duke bërë kështu edhe hapin e madh në karrierën e tij. Ish-futbollisti i Ballkanit të Ilir Dajës mori vëmendjen e skuadrave të huaja pas paraqitjeve fantastike në Europë me skuadrën kosovare.
Trajneri i Lazios, Mauricio Sarri dha vlerësimet e tij për talentin "dardan", teksa e quajti një “lojtar interesant”. Pas kësaj deklarate tashmë Krasniqi është përfolur shpesh për në kalim te Lazio. Pikërisht për këto zëra ka folur vetë ish-i i Ballkanit për “Pro Sport”, ku thekson se është i gatshëm të luajë në çdo kampionat.
“Tani jam i fokusuar te Cluj dhe do të jap maksimumin tim. Por nëse vijnë oferta, do të jem i lumtur t’i vlerësoj ato në çdo moment.
Ndihem i nderuar të di se ka top klube që më ndjekin. Kjo më bën të punoj edhe më shumë për ëndrrën time. Është diçka e bukur që Sarri më thurri elozhe. Jam i nderuar. Mendoj se mund ta luaj në çdo kampionat europian”, përfundoi Krasniqi.