
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka bërë me dije se kjo fundjavë do të jetë e fundit në izolim, pasi nga data 1 qershor lëvizja do të jetë pa asnjë kufizim në të gjithë vendin.
Duke filluar nga nesër, gjatë fundjavës e në vijim hiqen kufizimet e orareve për qytetaret dhe bizneset në zonat e kuqe dhe të gjëlbërta. Edhe këtë fundjavë, në kuadër të monitorimit të situatës dy javore, nuk do të lejohet levizja nga zonat e kuqe për rezidentët e këtyre zonave.
Nga data 1 Qershor plazhet do të jenë të hapura, nën masa të sigurisë, sipas një plani i cili përfshin gjithë vijën bregdetare, si një zonë e sigurt.
“Do të lejohen nga data 1 Qershor kampionatet sportive, pa praninë e publikut. Do të hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit sipas protokolleve të sigurisë, si dhe palestrat sipas protokolleve të miratuara”, ka thënë ndër të tjera Ministrja e Shëndetësisë.