
Taulant Seferi dhe Ferhan Hasani ishin dy emrat më të përmendur në merkaton e dimrit. Si sulmuesi i Tiranës, ashtu edhe ai i Partizanit u trumbetuan si futbollistët që do të bënin diferencën në kampionatin shqiptar. Të dy lojtarët zgjodhën fanela të "rënda" të historisë së futbollit në vend. Shumë "luftë" në kampet kryeqytetase për të arritur te shërbimet e tyre.
Fillimisht Tirana tentoi Seferin, por bllokimi i merkatos për disa ditë nga FIFA ngriu veprimet e drejtuesve. Pikërisht në këtë periudhë, të kuqtë tentuan të rrëmbenin sulmuesin e Kombëtares. Mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi ai i kishte dhënë fjalën bardhebluve. Pas zgjidhjes së ngërçit, Seferi iu bashkua kampionëve të Shqipërisë. E njëjtë situata edhe me Ferhan Hasanin. "Buba" u tentua nga bardheblutë, por në fund ishte Partizani që e mori në gjirin e tij. Në këtë "luftë" merkatoje, duket se më i fituar ka dalë klubi i Tiranës.
Taulant Seferi aktivizohet si titullar duke dhënë kontributin e tij në arritjen e objektivave sezonalë. Nga ana tjetër, Hasani i ka ndjekur ndeshjet nga stoli për shkak të një dëmtimi të vjetër. Vetëm në fitoren 3-0 të Partizanit kundër Bylisit, ai arriti të merrte për herë të parë 20 minuta në një ndeshje zyrtare.