
Juventusi do të luajë ditën e nesërme ndaj Napolit në një sfidë mjaft delikate për bardhezinjtë. “Zonja e Vjetër” synon vazhdimësinë pas fitores me Fiorentinën në shtëpi, teksa kërkon edhe “hakmarrjen” ndaj kampionëve.
Aktualisht Juve ndodhet në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit me 57 pikë, 12 më pak se Interi kryesues. Për të analizuar duelin me napolitanët ka folur në konferencën për shtyp Missimiliano Allegri.
Timonieri i bardhezinjve ka theksuar se shpreson që muaji mars të jetë më i mirë se shkurti. Dueli ndaj Napolit është një provë e vërtetë dhe skuadra e tij është bërë gati për një tjetër 3 pikësh në kampionat.
“Shkurti ishte i vështirë për ne në kampionat. Le të shpresojmë që marsi të jetë më i mirë. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, ne duhet të bëjmë më mirë në nivel mbrojtës, përndryshe rrezikojmë të dalim me kocka të thyera.
Humbja e vitit të kaluar? Ne nuk kemi fituar në Napoli për pesë vjet, kështu që jemi gati ta bëjmë përsëri. Napoli ka vlerë të madhe teknike dhe një pozicion jo real në renditjeje. Skuadra ka punuar mirë, ne e dimë vështirësinë e ndeshjes. Do të jetë një provë e madhe.
Chiesa? Ishte pushim për shkak të një goditjeje, por do të jetë i gatshëm për nesër. Danilo do të jetë gjithashtu. Kean do të kthehet javën tjetër, ashtu si Perin. McKennie është në dyshim, sa për Rabiot, ne duhet të shohim se si këmba e tij reagon”, ka theksuar timonieri i bardhezinjëve.
Kujtojmë se sfida me Napolin do të luhet ditën e nesërme në orën 20:45 në “Diego Armando Maradona”. Kjo sfidë është e vlefshme për javën e 27-të të Serie A.