Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

“Më mungon shumë Shqipëria”, De Biasi i “shkel syrin” Kombëtares: Kontrata më skadon në shtator (INTERVISTA E PLOTË)

Shkruar nga NEWSPORT
“Më mungon shumë Shqipëria”, De Biasi i “shkel

Gianni De Biasi është rikthyer të flasë për Shqipërinë dhe kohët e arta që kaloi në krye të Kombëtares kuqezi. Aktualisht trajneri i Azerbajxhanit, kujtoi grupin që siguroi kualifikimin historik në Euro 2016 dhe çfarë duhet të bëjë skuadra aktuale e Shqipërisë për të pasur të njëjtat suksese.

De Biasi nuk harroi të thotë sa i mungon Shqipëria. Madje gjatë intervistës la të hapur një rikthim të mundshëm te kombëtarja kuqezi, duke kujtuar faktin se kontrata e tij me përfaqësuesen e Azerbajxhanit përfundon më 30 shtator.

Intervista e plotë për Oversport:  

Përshëndetje mister. Kënaqësi që të kam.

Përshëndetje Alban. Përshëndetje për të gjithë tifozët shqiptarë.

Të shoh me një fanellë shumë të bukur. E kuqja nuk të ndahet, “Italia Football Talent”. Çfarë është, është një projekt i ri që po lind në drejtimin tuaj? Mund të na shpjegosh diçka më tepër?

Është fanella e akademisë time të futbollit, Italia Football Talent që u krijua në vitin 2019. Por COVID na ndali pak në vitin 2020, pastaj në vitin 2021 kemi bërë diçka dhe këtë vit kemi 200 djem në 3 javë.

Djem të kujt moshe?

Janë djem që nisin nga mosha 8-9 vjeçare dhe shkojnë deri në moshën 15-16 vjeçare. Kemi 9 trajnerë, të cilët i njohim mjaft mirë dhe janë pjesë e skuadrave profesioniste dhe në verë kanë pak kohë për t’ju dedikuar fëmijëve tanë të talentuar dhe me nivel. Po bëjmë një punë të mirë.

Ky projekt a mund të vijë në Shqipëri, mund të zgjerohet, sepse edhe këtu kemi talente dhe fëmijë që e dashurojnë futbollin?

Le të themi që këtë vit kemi pasur 3 javë edhe me të rinj të talentuar shqiptarë, disa prej të cilëve kanë ardhur direkt nga Tirana deri në Cortina, ku kemi qendrën e kampit tonë. Në javën e dytë kemi pasur të tjerë shqiptarë, por edhe nga Amerika.

Është një kamp ndërkombëtar dhe ka shumë interes sepse bashkëpunëtori im dhe miku im ka punuar për 20 vite me Milan Camp dhe njeh mjaft mirë Amerikën e Jugut dhe të Veriut. Për këtë arsye shumë njerëz e vlerësojnë punën që bëjmë këtu.

Të mungon Shqipëria?

Më mungon shumë. Më mungon sepse në një vend ku je ndier mirë dhe ke gjetur ngrohtësinë e njerëzve dhe të kanë respektuar që nga dita e parë, është një aspekt shumë i rëndësishëm për një person që bën profesionin tim.

Diçka specifike nga Tirana?

Nga Tirana më mungon atmosfera dhe kaosi i çrregullt, trafiku dhe gjithçka tjetër. Më mungojnë miqtë dhe mundësia për të kaluar mbrëmjet të gjithë bashkë dhe më mungojnë emocionet që të japin shqiptarët. Kur je trajner ke më shumë avantazhe në këtë aspekt, akoma më shumë kur ke rezultate pozitive. Nëse janë negative sjellin probleme dhe të peshojnë shumë.

Çfarë ka Tirana diçka që të pëlqen më shumë se Baku?

Tirana në aspektin e kuzhinës është më pranë mentalitetit italian, sidomos ushqimet e detit. Aty në Tiranë janë më të mira, ndërsa në Baku është e vështirë që të gjesh të tilla. Ky është ndryshimi i parë që më vjen më mend.

I ke ndjekur ndeshjet e fundit të kombëtares? Si të janë dukur? Të kanë pëlqyer?

E kam parë të gjithë ndeshjen kundër Izraelit dhe mendova se Shqipëria do ta fitonte për kualitetin dhe gjithçka tjetër që ka. Për më tepër që kaloi edhe në avantazh e para. Humbja ishte diçka e paparashikueshme, por janë gjëra që ndodhin në futboll. Sigurisht që u mërzita edhe unë sepse mendoja që do ta fitonte Shqipëria me siguri këtë sfidë. Por gjithçka është e hapur për arritjen e objektivit. Mjafton që të fitohen ndeshjet e mbetura duke shpresuar edhe në një rezultat të favorshëm. Gjithçka mund të ndodhë.

Ju keni qenë nga ata që keni humbur me Izraelin këtu 3-0 dhe më pas keni fituar po 3-0 në Izrael. Si mund të fitohet në Izrael?

Izraeli është një skuadër shumë e çuditshme. Ne në ndeshjen që luajtëm në atë kohë në Elbasan e humbëm 3-0, por ishte një ndeshje jo e vërtetë sepse morëm karton të kuq pas 2 minutash dhe penallti kundër. E humbëm sigurinë, sulmuam jo mirë dhe zhvilluam një sfidë jashtë pritshmërive dhe standardit tonë.

Mund të luanim më mirë edhe me 10 lojtarë. Mendoj se në Izrael u hakmorëm dhe fituam thellë. Mund të kishim shënuar më shumë, por është e rëndësishme që në një grup shumë të vështirë për Botërorin e Rusisë, mendoj se ne bëmë mirë dhe unë u largova duke qenë në vendin e tretë pas Spanjës dhe Italisë. Më mirë se kaq mendoj se nuk mund të bënim për rezultate.

Çfarë duhet të bëjë Shqipëria në Izrael për ta mundur sipas jush?

Duhet të kërkojmë të luajmë ndeshjen me kualitetin tonë me futbollistët me eksperiencë. Është e qartë se edhe kjo sfidë e luajtur tani së fundmi u luajt në fundin e sezonit dhe me shumë futbollistë që janë të ezauruar dhe të lodhur. Në Izrael do të jetë një tjetër histori dhe Shqipëria duhet të tregojë aspektin teknik sipëror që ka si skuadër.

Gjatë drejtimit tuaj Shqipëria ka pasur edhe lojtarë që nuk luanin me klubet e tyre, ndërsa tani kemi në kombëtare lojtarë që janë shumë të rëndësishëm në skuadrat e tyre. Ndoshta kjo e ndihmon kombëtaren apo e rrezikon?

Është ajo që po thosha dhe më parë. Mendoj se Shqipëria përsa i përket kapaciteteve dhe aftësive teknike është një skuadër shumë ndryshe nga ajo që kisha unë. E imja ishte një skuadër që siç e the edhe ti, përbëhej nga lojtarë që as nuk luanin vazhdimisht në klubet e tyre ndaj kishim disa vështirësi më shumë. Ne kishim në brendësi të skuadrës një frymë shumë të fortë, kishim lojtarë të cilët besonin shumë, që inpenjoheshin shumë.

Që jepnin 100 %, ndoshta 110%. Që përpiqeshin për të arritur rrugëtime të pabesueshme. Unë besoj se Shqipëria e sotme, është një skuadër e cila duhet të punojë në këto aspekte. Duhet të punojë pak më shumë mbi aspektin e të sjellurit në shtëpi të tri pikëve kur është mundësia, sesa të menduarit gjatë gjithë kohës për të ardhmen. Kur është mundësia për të luajtur mirë, të luajë mirë. Kur të tjerët kanë kualitete më shumë se ty, të mund të mbrohesh mirë. Të shtrëngosh dhembët.

Në nivel karakterial ne ishim më të fortë, ndërsa në aspektin teknik kjo skuadër është pa diskutim më e mirë. Ka vlera të mëdha, me lojtarë të cilët luajnë në Serinë A, thuajse e gjithë mbrojtja dhe porta luan në Serinë A. Shumë lojtarë të tjerë luajnë në kampionate të huaja dhe të mira madje, si Angli apo Spanjë. Prandaj është një kombëtare e cila duhet të mendojë gjithmonë pozitivisht dhe të nxjerr në pah më të mirën.

Pas dy ndeshjeve të fundit publiku solli akuza si ndaj lojtarëve, ashtu edhe ndaj trajnerit për mosarritjen e rezultateve pozitive. Ju brenda vetes në thonjëza ndiheni fajtor sepse e keni rritur shumë standardin duke kualifikuar kombëtaren dhe tani kërkesat e tifozëve janë të jashtëzakonshme, Duan që ta përsërisin prapë.

Jo, jo të kuptova. Unë besoj se me shumë mundësi harrojmë shumë shpejtë se nga vijmë. Unë besoj se përtej të gjithave, janë disa realitete të cilat njëkohësisht janë përmirësuar, janë rritur në nivelin teknik, në nivel skuadre. Mendoj se Shqipëria nuk duhet të bëjë gabimin që ta konsiderojë veten skuadër e një niveli të lartë. Ne duhet të mendojmë, them ne sepse jam akoma aty nga pikpamja e afeksionit, duhet të mendojmë që çdo sfidë ka rëndësi si të ishte finalja e një Champions League apo Conference League që kishit në Tiranë pak kohë më parë.

Nuk duhet të mendojmë se jemi më të mirë nga ç’jemi. Sepse ky është gabimi që bëjmë. Të mos mbështetemi tek ajo që bëjmë në vetëm një ndeshje. Duhet të hedhim sytë edhe nga ndeshja e kaluar. Ky është gabimi më i madh. Pas dy viteve të mia të para, kuptova se përtej një ndeshjeje të luajtur mirë, vinte direkt një ndeshje e dobët sepse gënjenim veten se ishim mirë. Ky është gabimi i parë që të bën të mos shkosh askund.

Pastaj mund të bisedojmë nëse luajmë me tre, katër, pesë, gjashtë. Nuk ka fare rëndësi. Ajo që ka rëndësi më shumë është këtu. Gjithmonë kur aktivizohet një futbollist është e diskutueshme sepse ajo që ke bërë në ndeshjen e kaluar hidhet pas krahëve. Duhet parë përpara drejt një kundërshtari që kërkon ta mundësh. Themi janë të fortë, sepse kanë lojtarët të caktuar por këtu duhet të përmirësohemi. Këtu bëhet kapërcimi.

Pak më parë the se skuadra juaj kishte më shumë karakter. Kjo e tanishmja ndoshta ka më pak karakter. Karakteri është diçka që zgjidhet, mund t’ia kthesh këtyre lojtarëve, apo është brezi i tillë me lojtarët e rinj që janë edhe pak problematikë vetë?

Alban, shqiptari duhet të ketë karakter. Duhet të jetë dikush që aspiron për 105% dhe jo 80 apo 90%. Futbollisti shqiptar duhet ta tregojë këtë dëshirë për tu afirmuar, sepse të arrish deri diku dhe të ndalesh nuk është afirmim por është një sukses jo i plotë. Mendoj se ekipi kombëtar është një skuadër që të paktën në Nations League duhet të ketë një rol tjetër.

Mendoja se do të arrinte vendin e parë por tani është e qartë që duhet ndryshuar diçka dhe jo të gjenden fajtorët në mes të rrugëtimit. Sot ka mundësi rikuperimi, sepse janë kualitetet e lojtarëve që mund ta bëjnë, sepse është eksperienca e një trajneri që di t’i përballojë situatat. Ka një eksperiencë të jashtëzakonshme. Mendoj se nëse qëndroni të bashkuar, pa nisur procese që nuk shërbejnë për asgjë, mendoj se Shqipëria mund të mendojë për diçka ndryshe.

Sot ne flasim për formacionin dhe themi Broja dhe 10 të tjerë…

Broja është një lojtar i mirë. Nuk ka treguar ende asgjë në nivel të lartë ndërkombëtar. Ka sigurisht cilësi teknike dhe fizike të një niveli të kënaqshëm që duhet të kanalizohen në drejtimin e duhur për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në skuadër.

Dhe problemi më i madh është që nuk duhet trumpetuar gjatë gjithë kohës si një fenomen sepse nuk të sjellë asgjë të rëndësishme. Nuk të le të rritesh. Nuk e ndihmon aspak futbollistin. Mendoj se të gjitha këto situata duhet të trajtohen me shumë kujdes sidomos me komunikimet nga jashtë.

Kush është lojtari më i mirë aktualisht në kombëtaren shqiptare?

Është një pyetje që nuk mund t’i përgjigjjem. Më pëlqejnë shumë, më shumë se një. Nëse them dikë, janë 18 të tjerë që s’do të ndiheshin mirë. Janë futbollistë të mirë Alban, me një nivel të mirë dhe që mund të japin shumë në kombëtare.

Çfarë mendon për Asllanin tek Interi?

Jam shumë i lumtur për të. Është një impenjim që duhet ta shfrytëzojë në maksimum. Duhet të shkojë me entuziazëm të madh që besoj se e ka. Një iniciativë e madhe për të, që nëse do ti shkojë mbarë do ti shërbejë shumë si për veten sepse do rritet në personalitet por po ashtu edhe për kombëtaren. Por është ende në fillimet e tij. Është ende larg të qënurit një futbollist i jashtëzakonshëm. Nuk duhet të ndalet.

Do ta ndihmojë Interi, apo duhet të bënte zgjedhje tjetër?

Mendoj se edhe nëse nuk do të luaj vazhdimisht, fakti që ke përkrah lojtarë të mëdhenj të jep mundësinë që vetëm të mësosh.

Dua të ndalem pak te ditëlindja juaj. Kam parë që presidenti Duka iu ka uruar për ditëlindjen tuaj. Bëtë ndonjë bisedë tjetër me Dukën përveç urimit të ditëlindjes?

Jo jo. Vetëm urimi Gëzuar Ditëlindjen, dhe asgjë më shumë. Por, me presidentin Duka komunikojmë shpesh. Sidomos kohët e fundit, për finalen e Romës. Më duheshin dy bileta. Arrita ti gjejë. I pagova sigurisht…

Është një raport që mbetet gjithmonë miqësor. Isha i pranishëm në asamblenë e Federatës dhe mendoj që ky raport nuk do të ndryshojë. Kur ti ke ndarë me dikë emocionet e suksesit më të madh sportiv të një skuadre, mendoj se do të mbetet gjithmonë një histori e bukur. Përfundoi dhe në mënyrë vërtetë romatike, mes lotësh, nga njëri te tjetri. Por ishte momenti për t’u ndalur sepse edhe pse je mirë në parajsë, vjen një pikë që duhet të kthehesh në tokë!

Thuhet se Reja nuk do të rinovojë kontratën. Nëse Duka do t’iu kërkonte t’i sugjeronit një emër, kë do t’i sugjeronit?

Nëse unë ja sugjeroj nëpërmjet televizionit, atëherë nuk më thërret më. Kështu që është më mirë të mos them asgjë. Duke njohur futbollin shqiptar, realitetin aty, dhe duke i njohur lojtarët, mentalitetin apo ambientin që rrethon ekipin, mendoj se mund të jem një person që mund të jap këshilla. Kështu që, nëse do të më telefonojë, do ta shohë që si një mik i mirë mund t’i jap këshilla. Falas. Falas.

Ishe shumë diplomat në përgjigjet që dhe. Pse ishe kaq diplomat? Kërkon të ruash ndonjë raport, sepse sheh një rrugë që të rikthehesh në kombëtare?

Nuk është çështja  që të jem apo jo diplomatik. Alban, e vërteta është që kur ti jeton në një realitet si Shqipëria, në momentin kur unë erdha në krye të ekipit ishim në vend të 80-të në renditjen e FIFA-s. Dhe arritëm deri në vend të 22-të. Kur ndodh kjo, është e sigurt që mbetesh i lidhur me këtë krijesë tënden, me lojtarët e tu, miqësitë që ke krijuar me ju njerëzit e medias. Është një ndjesi që e ruan sepse të ka dhënë emocione të forta, të pa përjetuara kurrë më parë në aspektin profesional. Kur unë e dëgjoj fjalën Shqipëri, më buron diçka së brendshmi.

Zemra ime këtu e madhe…  Mirëpo, tani jam në një tjetër situatë. Jam në një realitet në të cilin jam nën kontratë deri në datën 30 shtator, deri në përfundim të edicionit në Nations League. Pas kësaj, portat e Shqipërisë mund edhe të hapen. Apo disa opsione që mund të hapen. Nuk e di. Nëse jo, nëse do të nevojitet ndonjë këshillë, për presidentin jam gjithmonë i gatshëm që t’ia jap. Nëse ai do ta dëshirojë si këshillë. Nëse do ta dëshirojë… Unë nuk mund të vetëkandidohem si trajner i Shqipërisë.

Ne Serie A e shohim në Oversport dhe Tibo, një kompani e re me ambicie të mëdha. Një sezon i ri po nis. Si e shikon sezonin e ri të Serie A?

Është një Serie A për të cilin sot nuk është se mund të flasim me terma sigurie, derisa të mos ketë përfunduar ende merkato. Për të kuptuar se sa janë përmirësuar skuadrat, cila ka bërë më mirë apo cila më keq. Merkato është ende në zhvillim e sipër, por mendoj se përafërsisht do të jenë akoma të njëjtat skuadra që do të luftojnë për titullin. Milan, Inter, Juve, bashkë me Napolin dhe Romën mendoj. Dua ta përfshij edhe Romën, sepse nëse do të marrë lojtarë të rëndësishëm, edhe kjo skuadër mund të thotë fjalën e saj sa i përket titullit. Megjithatë, është një kampionat shumë i bukur dhe interesant.

Këtë vit në Serinë A, titulli u fitua në javën e fundit. Mbijetesa gjithashtu u vendos në momentet e fundit. Ka qenë një kampionat interesant dhe sipas meje me nivel të mirë dhe që është rritur shumë, edhe pse nuk jemi në nivelin e Anglisë që është me siguri një kampionat ekselent. Pavarësisht se skuadrat atje nuk kanë fituar Championsin, por mbetet një kampionat me nivel të madh.

Një opinion edhe për mungesën e Italisë në kampionatin botëror?

Për fat të keq, brenda një viti, Italia kaloi nga një skuadër e mrekullive në skuadrën e dështimeve. Por nuk është kështu. Italia përgjatë fazës kualifikuese ka shpërdoruar shumë mundësi. Ka shpërdoruar disa penallti që mund ta kishin mbajtur të gjallë gjatë kualifikueseve. Pastaj, shkon në fazën “Play Off” dhe përpara asaj mbrëmjeje, në një darkë kam takuar presidentin Gravina dhe bashkë me të edhe presidentin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut.

Në atë tavolinë, i kam thënë Gravinës, presidentit të Ferderatës së Futbollit të Italisë që përballja më e vështirë për Italinë do të jetë pikërisht ndeshja e parë kundër Maqedonsië së Veriut. Kjo, për faktin se Italia do të jetë e fokusuar te Portugalia. Pikërisht, me Portugalinë do të përballesh nëse mund këtë skuadrën e parë. Sigurisht, që në atë ndeshje ndaj Maqedonisë së Veriut Italia ishte edhe e pafat. Pati shumë mundësi shënimi dhe ndoshta me gjasë, edhe ndaj Portugalisë do të kishte fituar.

Mirëpo, nuk mund të shkosh të luash në “Play Off” kur quhesh Italia dhe pak muaj më parë ke fituar Europianin. Ka gjëra që nuk kanë funksionuar siç duhet, në çdo aspekt. Gabime kanë bërë të gjithë, lojtarët, trajneri dhe të gjithë. Është hera e dytë radhazi që Italia nuk shkon në Botëror dhe ky është fakti më acarues për ne.

Keni pasur oferta nga klubet italiane?

Jo, Jo! Asnjë ofertë. Asgjë, as nga Seria A apo as nga Seria B. Kjo edhe sepse, e pata thënë që në vitin 2012, nëse mund të kthehem të punoj në Itali, dhe e përsëris që pas Azerbajxhanit do të vijë një mundësi, e mirëpres me kënaqësi. Mund të rikthehem.

Deri atëherë, do të mendoj për gjëra të rëndësishme, ndeshjet që kam për të luajtur. Kam si kujtim gjëra të rëndësishme që kam bërë në Itali dhe nëse duan që t’i provoj sërish, jam gati. Nëse jo, do të kthehem në shtëpi.

Kush e fiton Serie A?

Interi!

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga