
Blerim Kotobelli ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të Teutës për këtë sezon futbollistik. Mbrojtësi i majtë i durrsakëve u përdor si një “xhol” nga “Djemtë e Detit” duke u aktivizuar kudo që kishte nevojë skuadra e Teutës. Megjithatë ky fund edicioni futbollistik sjell shumë zhvillime në kampin durrsak.
30-vjeçarit i ka përfunduar kontrata me Teutën dhe tanimë klubet e Superligës janë hedhur në sulm për shërbimet e tij. Neësport.al ka mësuar se është në bisedime, megjithatë ende nuk ka vendosur asgjë për të ardhmen. Marrëdhënia korrekte me presidentin Edmond Hasanbelliu ka bërë që fillimisht Kotobelli të presë durrsakët, për të dhënë më pas një përgjigje përfundimtare.
Eksperienca e madhe në elitën e futbollit shqiptar dhe aktivizimi në linjën e majtë, por edhe në qendër të mbrojtjes, e bëjnë Kotobellin një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit të Teutës. Pritet me interes të shihet se cila do të jetë e ardhmja e tij, ndërsa në Superiore ka shëtitur shumë klube në elitë.