
Gëzim Krasniqi, qendërmbrojtësi i skuadrës së Partizanit ka folur ditën e sotme për sfidën e së martës në "Elbasan Arena" kundër Slovan Bratislavës, për neësport.al. 26-vjeçari i vlerëson shumë sllovakët, duke e parë këtë sfidë tejet të vështirë, por jo të pakalueshme. Sipas tij, me mbështetjen e tifozërisë së kuqe, ekipi i tij do ta ketë më të lehtë triumfin në atë ndeshje.
"Po përgatitemi shumë mirë për ndeshjen e Europa League, kundër Slovan Bratislavës. Skuadra sllovake është një skuadër që ne e kemi vlerësuar në maksimum. Ne do të japim gjithçka për ta kaluar këtë sfidë. Dëshirojmë dhe urojmë, që si gjithmonë, tifozëria në shkallët e stadiumit të jenë sa më të shumtë, sepse me mbështetjen e tyre, ekipi jonë do ta ketë më të lehtë që të dali fitues nga fusha e lojës", ka deklaruar Krasniqi.
I pyetur në lidhje me situatën ku drejtuesit akoma nuk kanë përcaktuar trajneri e skuadrës, ai tha:
"Është një çështje për të cilën nuk mund të flas. Çështjen e trajnerit e dinë drejtuesit. Ne të gjithë jemi të fokusuar te ndeshja e së martës ku shpresojmë të fitojmë", ka përfunduar qendërmbrojtësi 26-vjeçar.
Krasniqi u bashkua me të kuqtë sezonin e kaluar duke qenë pjesë e formacionit kryesor për shumë ndeshje. 26-vjeçari ka rinovuar me "demat" edhe për dy sezone të tjera.