
Gazmend Demi, presidenti i Partizanit, ka folur për takimin e së martës ku Partizani do të ndeshet me Salzburgun për raundin e tretë eliminator të Champions League. Kreu i të kuqve është shprehur optimist, ndërkohë që ka bërë dhe një kërkesë për lojtarët e tij. Numri një i Partizanit ka kërkuar që të paktën ndeshja të luhet si në Budapest, pastaj rezultati pozitiv do të vijë vetë.
" Unë jam optimist për ndeshjen e Partizanit. Është një takim i vështirë, por unë kërkoj nga çunat të luajnë si në Budapest. Vetë në të tillë mënyrë do të arrijmë një rezultat pozitiv. Unë kam besim te skuadra", deklaroi presidenti Demi.
I pyetur në lidhje me pjesëmarrjen e tifozëve në këtë sfidë presidenti shtoi:
" Ardhja e tifozëve në stadium është në dorën e tyre. Megjithatë ata nuk e kanë lënë asnjëherë vetëm skuadrën", përfundoi kreu i të kuqve duke lënë të nënkuptohet që tifozët edhe në këtë sfidë nuk mund të mungojnë.