
Skënderbeu ka arritur të fitojë me rezultatin 1-0 kundër Luftëtarit. Kjo ndeshje u luajt në stadiumin e Gjirokastrës në kuadër të javës së 31-të të Superiores. Sfida nuk pati shumë raste, ku më shumë loja ishte e qetë në të dy kampet. Fati i takimit u vulos në minutën e 48-të të takimit, teksa nigeriani Xhejms Adenji shënjestron saktë me të djathtën portën e Mirakës duke kaluar në avantazh ekipin korçar. Skuadra gjirokastrite mundohet të reagojë, por pa rezultat pasi mbrojtja e Skënderbeut është në ditë të mirë.
Pas kësaj ndeshje Skënderbeu ngjitet në kuotën e 62 pikëve dhe mbetet në vendin e tretë ndërsa Luftëtari me 39 pikë mban vendin e katërt. Ekipi i kampionëve vijon rrugën drejt titullit pasi gjendet vetëm 3 pikë pas Kukësit dhe Partizanit, ndërsa "bluzinjtë" janë brenda objektivit, Kupat e Europës.