
Labinot Ibrahimi ka vendosur të vijojë karrierën në Kosovë me skuadrën e Ulpianës. Mbrojtësi i njohur është prezantuar nga klubi kosovar, të cilin e cilësojnë si legjendë. Përmes një njoftimi në kanalin zyrtar të Ulpianës thuhej:
“Mirëse u ktheve legjendë!
Zyrtarisht futbollisti lipjanas, Labinot Ibrahimi vishet bardhekaltër. Po ashtu rikthehet në shtëpi ku e filloi karrierën, tashmë me një mision të përbashkët me klubin, për ngjitjen në Superligë.
Labi rikthehet në Ulpianë pas katërmbëdhjetë vitesh, po prap me uri të madhe për të korrur suksese.
Na priftë e mbara”.
Kujtojmë që në Shqipëri, Labinot Ibrahimi ishte një nga lojtarët kryesorë të Partizanit në elitën e vendit tonë. Për disa vite ai u shndërrua në pikë referimi për linjën e djathtë të mbrojtjes. Karakterizohej nga pasioni për fanelën e kuqe, por edhe për futbollin. Shpesh ishte në qendër të kritikave prej gabimeve amatoreske, megjithatë dëshira dhe grinta sheshonin gjithçka.