Sezoni i ri 2026/27 në Superligën e Kosovës do të nisë më 15 gusht. Kështu ka njoftuar Federata e futbollit përmes një komunikimi zyrtar të bërë të ditur në rrjetet sociale.
Vendosja e kësaj date, sipas komunikimit të federatës do t’u mundësojë të gjitha skuadrave pjesëmarrëse kohën e nevojshme për t’u përgatitur dhe kompletuar grupin, përpara nisjes zyrtare të garave, si në nivel elitar dhe në atë të Ligës së Parë.
Më tej, sqarohet se organet janë duke u marrë posaçërisht me përgatitjet organizative dhe se kalendari i këtij edicioni do të shpallet në javët në vijim.
NJOFTIMI:
“Federata e Futbollit e Kosovës njofton se garat në Superligë dhe në Ligën e Parë për edicionin garues 2026/27 do të fillojnë më 15 gusht.
Fillimi i kampionatit në mesin e muajit gusht do t’u mundësojë skuadrave kohë të mjaftueshme për fazën përgatitore verore, zhvillimin e ndeshjeve kontrolluese dhe kompletimin e skuadrave para nisjes së garave zyrtare.
Ndërkohë, organet e FFK-së janë duke finalizuar të gjitha përgatitjet organizative për sezonin e ri, teksa detajet lidhur me shortin e garave, orarin e ndeshjeve dhe kalendarin për sezonin 2026/27 do të bëhen të ditura në javët në vijim.”
