Në një lidhje direkte nga Antalia për Supersport, trajneri Sulejman Starova foli për afrimet e fundit të merkatos së dimrit, për gjendjen e Mazrekajt, por edhe për rivalitetin e titullit kampion.
Për emisionin “Zona Gol”, numri 1 i stolit të Partizanit pranoi se 15 herë kampionët e vendit janë të vetëdijshëm për forcën e tyre dhe se janë pretendentë kryesorë për titullin e Superligës.
“Sukaj iku në verë pasi mori një ofertë shumë të mirë. Por, dëmtimi bëri që ai ta mbyllte para kohe aventurën atje dhe të kthehej aty ku donte.
Ai do të jetë i gatshëm për pak javë dhe do të na shërbejë.
Cetkoviç? Ai është një lojtar që vështirë se mund ta afrosh në ekip në këtë periudhë merkatoje dimri. Por për fatin tonë të mirë ai u largua nga Sarajevo dhe ne përfituam për ta marrë.
Ne kemi pasur edhe në dy fazat e para, lojtarë të mirë në mesfushë si Vila, Bardhi dhe Fili. Por e rëndësishme është që në ekip të ketë harmoni.
Rivaliteti i titullit? Shiko, unë nuk përjashtoj as Tiranën edhe pse është pak larg prej nesh. Ne po punojmë në kushte profesioniste këtu në Antalia, ashtu siç po punojnë edhe rivalët tanë.
Mbipopullimi i sulmit? Baza e skuadrës është ajo që ka udhëhequr deri tani kampionatin dhe afrimet bëhen për të përforcuar ekipin. Sukaj është një vlerë e shtuar për ne dhe shpresoj të jetë në formë sa më shpejt, ashtu siç shpresoj edhe për Mazrekajn.
Për të qenë kompetitiv duhet të kesh organikë të plotë dhe asnjë nuk është i tepërt.
Boniface? Ai nuk është në formën e tij më të mirë për momentin. Qëndrimi në kushtet jo të duhura profesioniale nuk e ka ndihmuar shumë.
Për sa i përket afrimit të fundit në këtë merkato, unë nuk mund të jap dot emra. Por ambicia e presidentit Demi është e madhe për t’iu bërë dhuratë tifozëve titullin kampion. Partizani është legjenda e kampionatit dhe e meriton të jetë në majë. Ne nuk kemi ndonjë ngarkesë të madhe psikologjike, sepse e kemi thënë që në fillim se do të jemi pretendentë për titull. Por, gjithë do qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse rivalët tanë janë gati të na konkurrojnë
Largimet? Unë di që duhet të fitojmë kampionatin dhe premtimi i presidentit Demi është se shitjet e talenteve do të bëhen vetëm kur të ketë ofrta bombastike. Ne kemi lojtarë që vlejnë shumë, si në rastin e Alban Hoxhës për të cilin pse ta fsheh, ka pasur oferta të shumta”, deklaroi trajneri Starova në emisionin “Zona Gol” në Supersport.