
Ndeshja Spanjë - Shqipëri nuk do të luhet në Afrikë. Përfundimisht kanë rënë poshtë të gjitha aludimet për një zhvillim të mundshëm të këtij takimi në veri të kontinentit afrikan.
Kryetari i qytetit autonom spanjoll të Melija, Huan Hoze Imbroda deklaroi para mediave spanjolle që kishte dëshirë të merrte përsipër zhvillimin e ndeshjes zyrtare të Spanjës përballë Shqipërisë në kuadër të eliminatoreve të Kupës së Botës 2018.
Megjithatë kjo duket se ka qenë vetëm një dëshirë e kryetarit të Bashkisë së këtij qyteti, pasi përfaqësuesi i marrëdhënieve me jashtë pranë Federatës Spanjolle të Futbollit, Eduar Dervishi ka deklaruar për "Top-Channel":
“Kjo është thjeshtë një dëshirë e kryebashkiakut të Malijës dhe thjesht një dëshirë publike. Pranë Federatës Spanjolle të Futbollit nuk ka mbërritur asnjë kërkesë zyrtare për zhvillimin e kësaj ndeshjeje. Gjithsesi është ende shpejt për të menduar se ku do të luaj Spanja me Shqipërinë, me shumë mundësi mund të mbesë brenda territorit spanjoll në kontinentin Europian”, përfundon Dervishi.
Kujtojmë që ndeshja mes Spanjës dhe Shqipërisë është parashikuar të luhet më 6 tetor të vitit 2017-të.