
Të premten Tirana do të luajë kundër Partizanit, ndeshje e vlefshme për javën e 31-të të Superiores. Edhe pozitat nuk janë të favorshme për bardheblutë, derbi gjithmonë është i paparashikueshëm. dhe një gjë të tillë e thotë edhe një "ish" i këtyre skuadrave, Endri Vrapi. Qendërmbrojtësi i Vllaznisë i kontaktuar nga newsport.al u shpreh:
"Ndeshja është derbi dhe në derbi nuk mund të parashikosh asnjëherë rezultatin. Për momentin Partizani po lufton për titull, ndërsa Tirana është në një pozitë tjetër. Do jetë e luftuar si ndeshje, por them që me cilësinë që ka Partizani përpara, do të bëjë diferencën. Por, një fakt tjetër i rëndësishëm është që Tirana nuk ka dhënë 100 për qindshin me gjithë skuadrën".
I pyetur se kush do të jetë lojtari deçiziv i kësaj supersfide, Vrapi tha:
"Në një ndeshje të tillë vetëm parashikimet që s'kanë vlerë. Është e vështirë të them se cili do të vendosë, por mendoj se do të jetë një ndeshje e fortë dhe e bukur".
Ndërsa se për cilën skuadër do të bëjë tifo, lojtari i Vllaznisë deklaroi:
"Kam kaluar vite të bukura tek të dy ekipet në situata të ndryshme. Si tifoz i futbollit, do më pëlqentë loja e bukur", përfundoi për newsport.al, qendërmbrojtësi i Vllaznisë Endri Vrapi.