Adolfo Sormani la skuadrën e kuqe sot në mesditë, situatë që ishte parashikuar prej disa ditësh, pasi ai u largua drejt Italisë dhe vonoi në kthim. Madje, ardhja e tij nuk ishte se solli nonjë ndryshim, por përplasje të reja brenda stafit dhe lojtarëve.
Kjo situatë mori tjetër rrjedhë, që detyroi kryesinë e klubit të kuq të marrin masën përfundimtare, largimin e tij. Ndërsa ekipin e ka marrë në dorë Sulejman Starova, të cilit i del për detyrë që të arrijë objektivat e klubit të vendosura në fillim të këtij sezoni.
I kontaktuar nga "newsport.al", tekniku i Partizanit si njeriu më pranë presidentit Gazment Demi, tregon arsyet e largimit të Sormanit, por edhe çfarë do të bëjë ai për të arritur të kapë korçarët që janë në krye të tabelës.
Sormani - "Mungoi harmonia staf-lojtarë-tifozë, gjë që çoi në largimin e trajnerit, pasi kjo u pa si arsyeja kryesore nga drejtuesit e klubit për ndërprerjen e marrëdhënieve".
Distanca me Skënderbeun - "Arsyet pse Skënderbeu udhëheq kampionatin është se ka fituar disa tituj radhazi dhe lojtarët njihen me njëri-tjetrin. Por, arsyeja tjetër është se ata kanë luajtur katër ndeshje në fushën e tyre dhe një jashtë pa tifozë, atë me Korabin, që i ka ndihmuar shumë që të jenë shtatë pikë para nesh. Në një kohë që ne do të luajmë me tifozë ndaj Korabit. Këto janë arsyet pse ata janë para nesh.
Titulli kampion - "Do të bëjmë të pamundurën për të marrë rezultatet pozitive për të arritur sa më shpejt atje ku kërkohet. Nuk mund të bëjmë parashikime".