Ilir Daja është zyrtarizuar tashmë si trajner i Skënderbeut. Me të marrë drejtimin e skuadrës korçare, tekniku kryeqytetas ka nisur nga puna, ku ka zhvilluar seancën e parë stërvitore me bardhekuqtë. Por, ai së bashku me drejtuesit po mendojnë për afrimet në këtë merkato dimri.
Burime për newsport.al bëjnë me dije që Bruno Dita është një ndër të preferuarit e Ilir Dajës. Mesfushori i durrsakëve pëlqehet shumë nga trajneri i Skënderbeut dhe priten të nisin bisedimet ndërmjet drejtuesve korçarë dhe atyre durrsakë. Po të njëtat burime tregojnë që Daja e donte Ditën vjet te Tirana, por kjo nuk u arrit pasi mesfushori ishte nën kontratë. Një gjë e tillë pritet të ndodhë sërish, pasi 23-vjeçari ka kontratë me Teutën dhe vështirë që drejtuesit do ta lënë të lirë.
Ilir Daja e njeh mirë Bruno Ditën, pasi më parë e ka pasur në organikën e tij kur drejtonte Besën e Kavajës në sezonin 2012-2013. Së fundmi ai e dëshiron në Korçë, por kjo pritet të mësohet në vazhdim, nëse Dita do të vijojë aventurën me durrsakët, apo do t’i bashkohet kampionëve të Shqipërisë.