
Komisioni i Disiplinës është mbledhur ditën e sotme, ndërsa janë zbardhur vendimet, të cilat më shumë se dënime kanë qenë paralajmërime dhe dënime për skuadrat e moshave si në rastin e Bylisit U19 dhe U19 dhe Kastriotit U19 dhe U17 që janë përjashtuar nga kampionati për mos përmbushje të detyrimeve financiare.
Newsport.al mëson se klubi i Skënderbeut dhe Korabit janë paralajmëruar se në rast përsëritjeje të vonesave në mbërritjen në stadium si dhë në daljen në fushë, do të përshkallëzohen masat sipas Kodit të Disiplinës Sportive.
Ndërkohë që edhe klubi i Tomorit është paralajmëruar nga Komisioni i Disiplinës se në rast të dështimit në përmbushjen e përgjegjësive do të përshkallëzohen masat sipas KDS-së. Kjo për shkak të terrenit sportiv tejet të rënduar, ku beratasit luajtën ndeshjen kundër Pogradecit.
Por, java e 19-të e Superiores prodhoi shumë polemika, ku pati përplasje ndërmjet lojtarëve të Laçit dhe Korabit, apo situatës së tensionuar mes Latifit dhe Telushit. Gjithashtu, në javën e 20-të të Superligës, trajneri i Korabit, Gerdi Haxhiu quajti "bastard" gjyqtarin e takimit mes dibranëve dhe Skënderbeut, Klajdi Kola.
Por, çuditërisht këto ngjarje, aspak normale nuk kanë kaluar sot në "filtrin" e Disiplinës.
Nuk dihet ende nëse vendimet për këto episode do të shqyrtohen në mbledhjet e tjera të këtij Komisioni apo janë "harruar"...