Jasir Asani shkëlqeu mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Air Albania” teksa shënoi golin e parë të sfidës me Moldavinë dhe të parin për të në Kombëtaren shqiptare. E çfarë mënyre për të shënuar golin e parë, një perlë me të majtën në cepin e portës që ngriti peshë stadiumin.
Jasiri sigurisht që është krenar për këtë gol por akoma më shumë se ai është babai i tij, Fadili. Në një prononcim për Open-TV, ai nuk fsheh emocionet teksa tregon si e përballoi atë moment historik për familjen e tij.
“Mu duk si ëndërr. Qava nga gëzimi, sytë mu mbushën me lot. Kurrë në jetë nuk kam qenë më i lumtur se mbrëmë kur Jasiri shënoi gol, duke i gëzuar dhe duke i bërë të lumtur miliona shqiptarë. Pas ndeshjes vetëm dy minuta kam ndejtur me Jasirin. Nuk kishte kohë sepse e ftonin te Kombëtarja”, u shpreh Fadil Asani për “Open-TV”.