
Kukësi i këtij sezoni nuk e ka nisur si duhet sezonin. Djemtë e drejtaur nga Shpëtim Duro ndodhen në vendin e shtatë pas po kaq javësh të luajtura. Verilindorët kanë koleksionuar 3 fitore, 1 barazim dhe ç'ka djeg më shumë plot tre humbje. Klima në ekip është e qetë, pasi grupi i lojtarëve ofron siguri për vazhdimin e kampionatit. Vetë Duro është shprehur se nuk pret të shkarkohet, pasi nëse do e ndiejë se po i bëhet "barrë" ekipit, do të dorëhiqet.
Kuksianët kanë vite që nuk e njohin këtë start zhgënjyes. Bëhet fjalë për dy vitet e para kur ekipi u ngjit në Superligë, përkatësisht sezonet 2012-13 dhe 2013-14. Sezoni 2013-14 ka qenë edhe ai më pak rezultativi, pasi pas shtatë javësh ishin siguruar tetë pikë (2 fitore, 2 barazime, 2 humbje).
Këtë sezon Kukësi ka siguruar 10 pikë në shtatë javë, duke kthyer edhe njëherë statistikat negative të viteve të shkuara. Vetë presidenti Gjici e ka cilësuar si të tepërt humbjen e fundit ndaj Vllaznise dhe tre humbjet e këtij sezoni. Ajo çka "djeg" te Kukësi është fakti se këtë sezon kanë pësuar plot shtatë gola, duke e bërë një ekip të brishtë në prapavijë.