Trajneri i Kukësit, Orges Shehi ka folur në prag të duelit me Partizanin. Sfida do të luhet nesër në orën 17:00 në Selman Stërmasi, ndërsa për verilindorët rruga e titullit kalon nga kampionët në fuqi. Diçka të tillë e thotë Orges Shehi, trajneri që si lojtar e ka provuar shijen e titullit.
Verilindorët mposhtën në minutat e fundit Luftëtarin, ndërsa një gol i Abazjat në fund hoqi “turpërimin” në kampin e Kukësit. Shehi kërkon më shumë përqëndrim, teksa shprehet se ndeshjet duhn mbyllu me rastet e krijuara, duke mos rrezikuar deri në fund.
Si e ka përgatitur Kukësi ndeshjen me Partizanin, kundërshtar që javët e fundit nuk ka treguar paraqitje të mira?
Është një ndeshje e rëndësishme për ne, për vetë faktin e objektivave që kemi. Janë kampionët në fuqi, pavarësisht se ata nuk kanë rezultate të mira por kanë një ekip të mirë. Është ndeshje e një përgjegjësie të lartë por ne do të futemi për të bërë maksimumin. Jemi disi të plotë pasi na kthehet Obanor dhe Rroca, veç Limaj që nuk është akoma në 100 përqind.
Tre pikë në fund me Luftëtarin, mos është kjo një pikë kthese në lufën për titull ?
Fituam në moment të fundit por mos harrojmë që kemi bërë një lojë konstante dhe me raste, një pikë që kemi ngulmuar është mbyllja e ndeshjes. Duhet të reflektojmë, rastet që paraqiten duhet t’i shfrytëzojmë sepse futbolli është i tillë, po nuk shënove do ta pësosh.
Është rikuperuar i gjithë ekipi pas ndalesës prej Covid-19?
Kemi pasur një shkëputje prej 2 muajsh e disa ditë. Periudha e ardhjes në formë për të gjithë është e vështirë, por në fund skuadra u shpreh lirshëm dhe dëmtime nuk pati. Kishim konsum të madh. Kjo fazë na ka shërbyer për të ardhur në formë optimale.
Vazhdon këmbëngulja për të fituar titullin ?
Ne kemi objektivat madhorë, rruga e titullit kalon te Partizani. Duhet të fokusohemi te ndeshja e radhës për të arritur objektivat që kemi.