Partizani ka vendosur përfundimisht: ‘Arena e Demave’ do të jetë me bar natyral. Projekti i kompleksit parashikonte një terren me bar natyral, por rrethanat dhe impianti ende i papërfunduar bënë që të kuqtë të shtronin tapet artificial për të reduktuar kostot dhe për të ‘mbledhur’ të gjithë familjen e kuqe në këtë stadium, qoftë për ndeshje, qoftë për stërvitje.
Mirëpo, tapeti artificial ka shkaktuar disa probleme të mëdha si dëmtimet e lojtarëve të cilët janë ankuar shpeshherë. Ishte thjeshtë çështje kohe kur klubi të vendostte për bar natyral, por ideja ishte që të ndërtoheshin fillimisht 2-3 fusha të tjera stërvitore në mënyrë që të mos ngarkohej terreni e të mos largohej edhe akademia.
Megjithatë, planet kanë nisur dhe pritet të vihen në zbatim së shpejti. Madje, që nga java e ardhshme. Sfida e rradhës në shtëpi është me Vllazninë në fundjavën që vjen dhe klubi po mendon që të spostohet në “Air Albania” për këtë superduel.
Gjithashtu, seancat stërvitore mund të zhvillohen në kompleksin e FSHF-së, Shtëpia e Futbollit, aty ku stërvitet edhe Kombëtarja. Kjo është një hipotezë e cila është ende e pakonfirmuar, por mbetet mundësi reale.
Qëllimi është që “Arena e Demave” të përmbushë standartet e UEFA-s dhe bari artificial është kushti i vetëm që mungon deri më sot.