Jeta tregohet e padrejtë, sidomos për ata të cilët “thurin” ëndrra dhe ambicie për një karrierë të suksesshme. Kjo i ndodhi edhe atletit të ri shkodran dhe njëkohësisht kampionit të Shqipërisë në garën e 100 metrave, Dardan Barakut, i cili është ndarë nga jeta ditën e sotme.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bashkia Shkodër ka njoftuar lajmin e kobshëm për të gjithë komunitetin sportdashës të Shkodrës.
“Përkushtimi, pasioni dhe rezultatet e tij, e bënë Dardanin një shembull frymëzimi për bashkëmoshatarët dhe një krenari për sportin e qytetit tonë. Në këto momente të dhimbshme, Bashkia Shkodër i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Baraku, të afërmve, miqve, Shoqatës së Atletikos ‘Vllaznia’ dhe gjithë komunitetit sportiv. Kujtimi i Dardanit do të mbetet përherë gjallë”, shkruhet mes rreshtash në postimin prekës.
Baraku ishte pjesë e grupmoshave U-16 te Vllaznia dhe padyshim, ndarja nga jeta e të riut i ka prekur të gjithë.
