
Kryetari i Komisionit të Etikës në FSHF, Fatmir Braka, i ka prerë shpresat e Partizanit për të fituar titullin kampion të sezonit të shkuar, duke konfirmuar Skënderbeun si kampion legjitim të Kategorisë Superiore.
"Ne jemi me pushime dhe nuk po shqyrtojmë asnjë çështje. Unë jam jurist prej vitesh dhe i njoh mirë këto punë, një vendim i formës së prerë i marrë nga një institucion i një hallke më të lartë nuk mund të ndryshohet nga një hallkë më e ulët. Prandaj, Komisioni i Etikës nuk ka fuqi për të hetuar Skënderbeun. E vetmja gjë që do të bëjmë është që do t'i hedhim një sy për të shuar kuriozitetin materialeve që do të vijnë nga UEFA", ka thënë Braka në një prononcim për "Panorama Sport".
Në qershor të këtij viti UEFA pezulloi Skënderbeun me pjesëmarrje në kupat e Europës për një sezon, një vendim që u konfirmua edhe nga KAS në fillim të muajit korrik.