
Mediat në Austri njoftojnë se Policia Federale austriake ka bastisur hotelin ku qëndronte Teuta në zonën e Salcburgut. Kjo për shkak të hetimeve, që ajo ka hapur, në lidhje me dyshimet se Teuta ka trukuar ndeshjet. Është vëzhguar për telefona, çdo provë që mund të lidhte ekipin shqiptar me kompanitë mafioze të basteve. Sinjalizimi për trukimin e ndeshjes është bërë nga ‘’Sportradar’’ e cila vepron në bashkëpunim me UEFA-në.
Menjëherë pas humbjes së miqësores me rezultatin 7-2 me Austrinë e Vjenës, në hotelin ku ishte akomoduar Teuta kanë mbërritur forcat austriake të rendit të cilat kanë marrë në pyetje lojtarët dhe stafin e ekipit durrsak. Të dhënat që janë grumbulluar po përpunohen nga specialist të krimit të organizuar dhe të gjitha dyshimet e deritanishme biejnë mbi skuadrën shqiptare.
Hetimet gjithashtu janë konfirmuar nga Ministria e Brendshme austriake përmes një deklarate për shtyp, ku bën me dije se çështja do të vazhdojë të shqyrtohet.