Është identifikuar personi që mbeti i vrarë nga të shtënat me armë mbrëmjen e djeshme në Prishtinë, ku debati mes disa të rinjve agravoi deri në përdorimin e armëve.
Mësohet se viktimë e përleshjes së rëndë ka mbetur shtetasi Agron Hajdari. Siç mund ta shikoni dhe në foton e mëposhtme, personi që u qëllua për vdekje është Agron Hajdari i njohur ndryshe me nofkën “Radulla”.
Ndërsa mësohet se Hajdari ishte anëtar i tifogrupit mbështetës të FC Prishtina, “Plisat”. Madje këta të fundit kanë reaguar zemërthyer për humbjen e të riut.
"Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se ka ndërruar jetë anëtari ynë, Agron Hajdari, Radulla. Për më shumë se dy dekada ai ishte pjesë e pandashme e tribunës dhe Plisave, duke dhënë gjithçka për qytetin, klubin dhe Kombëtaren në çdo moment. Kujtimi për të do të mbetet gjithmonë i gjallë. Ngushëllime më të sinqerta për familjen e tij, shokët dhe të gjithë Plisat. Pusho i qetë Goni! ULTRAS NEVER DIE", shkruan tifogrupi "Plisat".
Burime për mediat bëjnë me dije se i dyshuari kryesor për vrasjen e “Radullës” është shtetasi Arblind Pireva. Sakaq thuhet se Pireva ka qëlluar për vdekje Agron Hajdarin në rrugën “Rifat Berisha”, ku viktima mori plagë të rënda nga arma e zjarrit në kokë, gjoks dhe shpinë.
