Kosova ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet e Nations League përballë Rumanisë në ‘Fadil Vokrri’ dhe Qipros në transfertë, më 6 dhe 9 shtator.
Emri i madh në listë është ai i Elvish Rexhbecaj, lojtari i Augsburg në Bundesliga i cili prej vitesh kërkohet me ngulm nga Shqipëria e Kosova. Mesfushori 26-vjeçar i lindur në Prizren bëhet prurja e re në Përfaqësuese dhe pritet të ketë një rol të rëndësishëm për shkak edhe të cilësive të tij të larta.
Në përzgjedhjen e trajnerit Franco Foda, ende nuk bën pjesë talenti më i madh i futbollit vendas Drilon Hazrollaj i Malishevës apo golashënuesi Muharrem Jashari i Llapit.
Megjithatë, nga Superliga e Kosovës bëjnë pjesë 3 futbollistë: portieri Ilir Avdyli e mbrojtësi Ilir Krasniqi (Llapi) dhe mesfushori Lindon Emërllahu (Ballkani).