
Përfaqësuesja e Kosovës do të dalë në fushë ditën e nesërme ndaj Islandës në transfertë, sfida e kthimit e vlefshme për ngjitjen në Ligën B të Nations League. Takimin e parë, “dardanët” e fituan me shifrat 2-1 në shtëpi. Në prag të sfidës së nesërme, trajneri i Kosovës, Franco Foda doli në konferencë për shtyp për mediat.
“Para ndeshjes kam thënë se shanset tona ishin 50 me 50, për t’u kualifikuar në Ligën B. Dhe kjo u tregua edhe në ndeshjen e parë, e cila për periudha të gjata ishte e barabartë. Islanda mund të kishte shënuar edhe një gol, por edhe ne patëm disa mundësi për të shënuar më shumë dhe treguam se kemi një ekip të mirë.
Islanda ka një ekip shumë të mirë, sidomos në fazën ofensive. Gudmundsson, Oskarsson, Gudjonhsen dhe Porsteinsson si dhe lojtarët e tjerë, janë shumë të mirë gjithashtu. Për ne do të jetë e rëndësishme që të jemi të mirë në lojën pa top, të sjellim energjitë dhe mentalitetin tonë në fushë.
Përveç kësaj, edhe pse luajmë si mysafirë, duam të krijojmë raste sulmuese dhe të zbatojmë lojën tonë gjatë stërvitjes së sotme. Gjatë mbrëmjes ose nesër gjatë ditës do të flas me dy portierët tanë dhe do të marr vendimin përfundimtar për atë që do të jetë në portë.”, u shpreh Foda.