Kategoria Superiore është shtyrë pa afat për shkak të Covid-19, virusit që ka paralizuar jetën normale në Europë e Shqipëri. Në këtë periudhë, shumica e lojtarëve kanë zgjedhur rrjetet sociale për t'iu përgjigjur fansave apo për të dhënë mesazhin e qëndrimit në shtëpi. Një gjë të tillë e ka bërë edhe William Cordeiro Melo, futbollisti i Partizanit.
Braziliani ka treguar se kontrata i skadon në qershor dhe ende nuk e di nëse sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e kampionëve në fuqi, pra nëse do të rinovojë. Sa i takon pyetjes për një kalim në radhët e rivalëve të Tiranës si disa lojtarë të tjerë, Melo e ka përgjigjen e prerë se është një lojtar i të kuqve. Ende është e paqartë sesi një lojtari me kalibrin e brazilianit nuk i është rinovuar kontrata nga drejtuesit e kampionëve.
