Divock Origi te Milani mund të konsiderohet si i kryer. Të kuqtë e drejtuar nga Jurgen Klopp po bëjnë një sezon të shkëlqyer, ku janë në garë për plot 4 trofe. Dy trofe, klubi i Liverpool i ka fituar, Carabao Cup dhe FA Cup, si dhe është në finalen e Champions League dhe po ndjekin Manchester City në garën për titullin kampion, me “qytetarët” e Guardiolës që kanë vetëm një pikë më shumë.
Një nga lojtarët më të rëndësishëm të Klopp, sidomos në kompeticionet e Kupës, është padiskutim Divock Origi. Sulmuesi belg shpeshherë ka qenë vendimtar me golat e tij dhe tifozët e Liverpool, e adhurojnë. Gjithashtu, edhe Jurgen Klopp e ka vlerësuar si legjendë të klubit sulmuesin 27-vjeçar.
Edhe pse ka vlerësimin e të gjithëve, Origi është në kërkim të një aventure të re, në një skuadër të re, aty ku do të jetë i rëndësishëm dhe titullar. Kështu që, klubi i Milanit ka përfituar dhe ka hapur negociatat me agjentin e lojtarit.
Origit i skadon kontrata me Liverpool në verë dhe Milani do ta transferojë me parametra zero. Siç raportojnë mediat italiane, sulmuesi belg ka firmosur kontratën me Milanin dhe në qershor, do të zyrtarizohet si një goditje “big” e kuqezinjve. Me Liverpool, Origi ka luajtur 175 ndeshje, ku ka shënuar 41 gola dhe ka asistuar 18 të tjerë.