
Futbollisti I Përfaqësueses së Kosovës, Lirim Kastrati është shprehur për Arena Sportive në RTK se nuk ka asnjë kontakt me FSHF-në dhe ka vendosur që përfundimisht të përfaqësojë Kosovën, duke treguar se ka gjak Kosove dhe do jetë gjithmonë krenar për zgjedhjet e tij.
Lojtari që "braktisi" Lokomotivën për Dinamon e Zagrebit dikur kërkonte Shqipërinë, ndërsa nuk është bërë pishman për zgjedhjen e tij.
"Aty ku mundem të ndihmojë gjithmonë do të jem i gatshëm. Pa marrë parasysh me Kombëtaren A apo me U21. E kam zgjedh Kosovën dhe jam krenar që jam pjesë e kësaj kombëtareje. Jam vazhdimisht në kontakt me trajnerët Bernard Challandes dhe Rafet Prekazi.
Gjithmonë kur vijë të luaj për Kosovën e jap maksimumin dhe mundohem të arrijmë rezultate sa më të mira. Kalimi i mundshëm te Shqipëria? Jo, jo nuk ka asgjë të vërtetë.
Nuk kam kontakte që një vit e gjysmë me Kombëtaren e Shqipërisë. Kur kam vendosur të luaj për Kosovën kam vendos me zemër dhe kurrë nuk e vë në dyshim atë vendim dhe nuk i bie pishman. Jam i lindur në Kosovë dhe kam gjak Kosove dhe gjithmonë jam krenar me zgjedhjen time", u shpreh Kastrati.