
Federata Shqiptare e Basketbollit ka arritur marrëveshjen që ekipet shqiptare të marrin pjesë në Ligën Ballkanike. Pikërisht ditët e fundit ajo ka shpërndarë gjashtë ftesa për skuadrat e meshkujve. Vllaznia, Tirana, Teuta, Flamurtari, Kamza Basket dhe Ardhmëria janë ftuar që të jenë pjesëmarrëse në një kampionat me rëndësi, ku marrin pjesë ekipe me emër nga i gjithë Ballkani. Tashmë FSHB pret konfirmimin nga klubet.
Por, për klubin shkodran pjesëmarrja duket e vështirë, kjo për faktin se duhen shumë para që të ndjekin këtë eveniment, gjithashtu duhen lojtarë të nivelit të lartë. Vllaznia është shkëputur prej dy vitesh nga Liga Ballkanike, për faktin që mundej thellë në ndeshjet me konkurrentët nga Ballkani, të cilët kishin skuadra me nivel, por edhe se nuk kishte fuqi financiare për të përballuar garën. Pra, përgjigja nga këto klube mund të jetë negative për shkak të mungesës së buxhetit.