
Luftëtari vazhdon intensivisht përgatitjet për sezonin e ri. Drejtuesit po bëjnë afrime cilësore gjatë kësaj periudhe në mënyrë që ekipi të përforcohet dhe të jetë pretendent në Kategorinë e Dytë.
Pas trajnerit Besmir Shabani gjithçka ka nisur nga porta. "Newsport.al" ka mësuar eksluzivisht se Kadri Birja është lojtari më i ri që u bashkohet gjirokastritëve. 34-vjeçari sezonin e kaluar ishte pjesë e Vlabonës, me të cilët siguruan edhe ngjitjen në Kategorinë e Parë.
Në këtë mënyrë Luftëtari i beson portën një kampioni, pasi Birja në sezonin e kaluar u shpall kampion me Valbonën në grupin A, teksa zyrtarizimi i tij mbetet çështje ditësh. Gjirokastritët fitojnë eksperiencë, ku objektivi kryesorë i tyre do të jetë ngjitja në Kategorinë e Parë.
Kujtojmë se Birja në karrierën e tij ka luajtur për ekipe si Partizani, Shkumbini, Tërbuni, Vora, Dinamo, Egnatia, Korabi, Besa, Tomori, Elbasani, Burreli dhe Valbona. Ndërkohë te Luftëtari për të është një rikthim, pasi 34-vjeçari në sezonin 2014-2015 ka mbajtur veshur fanellën e bluzinjve.