Sinan Idrizi, administrator i klubit Flamurtari ka folur në televizonin 6+1 të qytetit të Vlorës për projektin e ‘Vlora Sport’.
Presidenti i vlonjatëve kërkon që vonesat të jenë sa më të pakta dhe përveç fushës së përfunduar në zonën e ‘Pyllit e Sodës’ të shtohen edhe 2 të reja. Idrizi pohon interesimin e z.Rama që ka inspektuar vetë pu nimet dhe është i interesuar që qyteti bregdetar të zhvillohet nga ana sportive.
“Tek ky investimi ynë, ne nuk dimë se cili është perimetri ynë i investimit. Kemi një projekt dhe nuk e dimë se cila është marrëdhënia jonë me poseduesin e pronës që është Këshilli Bashkiak ose dikush tjetër. Thjesht duam të dimë se ku jemi.
Kryeministri erdhi e pa në Pyllin e Sodës. Ai i la detyra nënkryetarit të Bashkisë. I tha që e di që je një mysliman i devotshëm dhe nuk i feston Krishtlindjet, ndaj të lutem të më sjellësh hartën e perimetrit para Krishtlindjeve.
Kjo është vija e demarkacionit e futbollit vlonjat. Kjo akademi që kemi tashmë. E kemi sjellë ndriçimin e ri të fushave.
Duam që zonën ngjitur të degraduar t’a gjelbërojmë dhe t’a bëjmë funksionale si dikur. Kërkojmë që të kemi dhe 2 fusha më shumë ngjitur.
Nuk duhet të humbasim kohë. Kemi procedura burokratike. 1 muaj u vonuam vetëm me doganat. Minimumi vitin që vjen Flamurtari të ketë 3 fusha në atë zonë.”, u shpreh Sinan Idrizi.