Trajneri i skuadrës së Lushnjes Ditmar Bicaj ka reaguar për mediat pas humbjes së “beftë” 0 – 1 ndaj Besës në “Roza Haxhiu”. Goli i Migone përmes penalltisë në minutën e 38 rezultoi vendimtar. Pas 16 javësh në Kategorinë e Parë, “Myzeqarët” gumbullojnë 16 pikë, pozita e 10-të në tabelë, zona e ftohtë”.
“Nuk merrem me gjykimin, edhe mund të ishte dhe ndoshta nuk është. Është vendimi i gjyqtarit, por mund të bënte më mirë në lojën efektive. Pjesën e dytë, ato ndalesat, dashje padashje sjellin irritimin e popullit. Duhet ta menaxhonte më mirë. E gjithë bukuria është kur vijnë njerëz. U transmetua dhe ishte e një rëndësie shumë të madhe.
Këto ndalesa sikur nuk ndihmon. Jo vetëm Lushnjën, por edhe Besën. Ne kemi ato minuset tona sa i përket durimit. Është e pashpjegueshme, gjëja e parë që kam pasur në analizë është sido të shkojë takimi, do jemi fanatikë me detyrat që japim. Një nga kryesoret ishte eliminimi i topave të gjatë.
Nuk e kuptoj, sa fillon pjesa e dytë kalojmë në aventurë, ekipi totalisht në presion. Ajo që është dhimbje koke, ekipi në Lushnjë futet shumë në presion. Si duket edhe pozita. Është e kundërta me takimet në transfertë ku shfaqemi shumë mirë, krijojmë raste, ndërtojmë raste. Duhet analizë pse vjen kjo situatë.
Problemi këtu është se si futbollistët, me eksperiencë, po të marrësh takimet, nuk është se nuk ka pasur dëshirë. Kemi pasur probleme te A-ja, në momentin që kemi topin e dorëzojmë shumë shpejt. Kur ekipi është i hapur, kërkon të përfitojë kundërshtari dhe aty jemi goditur gjithmonë.
Sa u përket lojtarëve me grintë dhe dëshirë, është çështje karakteriale dhe personale e çdo individi. Po ta ndërtoja ekipin që në fillim, do kisha pasur lojtarë të tjerë që dëshiroja. Ekipi ndërton dhe ka kualitet, por mungon grinta. Janë momente që do dalin 2-3 lidera që të nxjerrin ekipin nga kriza.
Duhen burra se është kategori që duhet të fitosh duelet. Si në ndeshjet brenda, që janë më të vështira se ato jashtë. Duhet të ringrihemi sepse janë 6 pikë që na dërgojnë në vendin e gjashtë dhe mendoj se skuadra do ndryshojë.
Ka shumë nevojë për ndërhyrje në merkato. E para mendoj se në mbrojtje po e po, na duhet një sulmues i mirë, dhe mesfushor numër 8 se kemi shumë probleme, sidomos me ekuilibrat dhe po ashtu me nxjerrjen e topit.
Nga krahët dalim mirë. Pasi final çedon dhe të zbeh çdo punë që ke bërë gjatë gjithë javës. Problemi këtu është mentaliteti. Shumica kur thirren për të qenë titullar ka momente që nuk japin maksimumin. Kur nuk thirren, ka lojtarë që varin turinjtë sepse nuk aktivizohen.
Kam kërkuar të respektohet fanella. Kështu është puna e trajnerëve, para meje kolegu Xhafa. Nesër mund të mos jem unë, do vijë një tjetër, jo gjithmonë trajneri duhet ta hajë. Edhe lojtarët që duhet të marrin përsipër. Kjo puna e trajnerit më duket si një ekip i Superiores që ka ndërruar 3 trajnerë deri tani, por përsëri është nga fundi oqeanit. Jo gjithmonë janë trajnerët përgjegjës”.
