
Vora barazoi 1-1 përballë Pogradecit në transfertë, në sfidën e vlefshme për javën e 17-të të Kategorisë së Parë. Pas kësaj sfide ka folur trajneri i Vorës, Arjan Bellai.
“Unë flas gjithmonë pastër dhe thjeshtë. Jemi këtu për meritë të çunave, por ne nuk kemi emra si Besa dhe Flamurtari. Janë lojtarët që janë në moshë të re dhe besoj se janë e ardhmja e këtij klubi dhe janë në kontratë të gjithë. Do jenë e ardhmja për shumë vite nëse qëndrojmë me këmbë në tokë.
Besoj se Pogradeci na luajti me mënyrën e lojës që ka. Ka futbollsitë dhe elementë të shkëlqyer sidomos nga krahu i majtë. Ata nuk janë të lehtë t’i markosh. Pogradeci momentalisht është kundërshtari më i vështirë që ekipet e kreut mund t’i marrin pikë. Ekipi i Pogradecit ka ndryshuar me Ard Memën 100 përqind, prandaj na vendosi në vështirësi sot.
U përpoqëm dhe të luanim topin, me topa të gjatë pasi na vendosën në vështirësi. Na mbyllën qendrën atë që ne e kemi armë të forte. Fusha ishte e mirë, por e rëndë, u krijua llucë”, tha Bellai pas ndeshjes.