
Vesel Limaj do të jetë kapiteni i ri i skuadrës së Kukësit. Pas largimit të Besar Musollit, trajneri Skënder Gega ka zgjedhur pikërisht mesfushorin e njohur si futbollistin që do të mbajë në krah shiritin. Atmosfera në kampin verilindor është tejet pozitive, ndërsa Bruno Lulaj ka shtuar "dozat" e optimizmit. Qendërmbrojtësi i njohur ka firmosur për dy sezone të tjera. Ka qenë Skënder Gega që ka dhënë "OK" për të ardhmen e shtatlartit të prapavijës.
Mirëpo ende ka probleme në repartin e mbrojtjes pasi Edis Maliqi dhe Erhun Obanor nuk pranojnë të rinovojnë. Të dy lojtarët kërkojnë largimin nga verilindorët, ndërsa drejtuesit janë të vendosur për t'i mbajtur. Nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë me të dy pasi e kanë shprehur hapur dëshirën për "divorc". Kujtojmë që qendërmbrojtësi afrikan, si dhe lojtari i linjës së djathtë të mbrojtjes kanë qenë titullarë absolutë me verilindorët.