Kampionati Ndërkombëtar i Karatesë “Kamza Open 2022” u zhvillua ditën e sotme në ambientet e shkollës 9- vjeçare “Hillary Clinton”. Në eventin e organizuar nga Federata Shqiptare e Karatesë në bashkëpunim me Bashkinë Kamëz, morën pjesë 420 sportistë nga gjashtë shtete pjesëmarrëse.
Vendin e parë e mori klubi i Kamzës, të dytin Ulqini dhe të tretin Lushnja. Të pranishëm dhe të ftuar ishin figura që kontribuojnë në sportin shqiptar dhe në vendet fqinje. Më poshtë njoftimi i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.
"Zhvillohet Kampionati Ndërkombëtar i Karatesë, “Kamza Open 2022”.
Federata Shqiptare e Karatesë, në bashkëpunim me Bashkinë Kamëz organizuan sot në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Hillary Clinton”, Kampionatin Ndërkombëtar të Karatesë, “Kamza Open 2022”.
Të pranishëm gjatë këtij eventi ishin Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, z. Fidel Ylli, zv. ministri i Arsimit dhe Sportit, z. Endrit Hoxha, zv. Presidenti i Federatës Shqiptare të Karatës, z. Luftar Kurti dhe gazetari sportiv, z. Dëfrim Methasani i cili ishte dhe moderatori i eventit. Gjatë këtij eventi, prezent ishin dhe Kryetari i Unionit të Karatesë së Maqedonisë së Veriut, z. Halim Hajredini, Kryetari i Unionit Kombëtar të Karatesë së Malit të Zi, z. Skënder Tahiraj dhe Kryetari i Federatës së Karatesë së Kosovës, z. Avni Gashi.
Në këtë kampionat morën pjesë 420 sportistë nga 6 shtete pjesëmarrëse, të cilët konkurruan nën emblemën e 39 klubeve të ndryshme. Në përfundim të “Kamza Open 2022”, vendin e parë e mori klubi i “Kamzës”, vendin e dytë e zuri “Ulqini”, ndërsa në vendin e tretë u pozicionua ekipi i ‘Lushnjes’”, shkruan KOKSH në rrjetin social Facebook.


















