Kampionati i vajzave ka ngritur siparin e edicionit të tij të 14-të që prej datës 24 shtator. Është zhvilluar vetëm java e parë e këtij kampionati, teksa ka pasur një ndërprerje këtë fundjavë, për shkak të ndeshjeve të ekipit Kombëtar U-19, në kuadër të kualifikueseve të Kampionatit Europian.
Ashtu sikurse edhe vitin e kaluar, duket se ky kampionat do të prodhojë shumë emocione dhe gola, teksa që në javën e parë fitoret kanë qenë me goleada.
Vllaznia e nisi kampionatin e ri, aty ku e la edicionin e kaluar. Shkodranet mundën ekipin e Laçit me rezultatin e thellë 8-0, duke e nisur mbarë edicionin e ri. Edhe rivalja e tyre direkte këto sezonet e fundit, Apolonia mori një fitore të vyer në transfertën kryeqytetase, duke fituar me tripletë ndaj Kinostudios.
Partizani gjithashtu siguroi tre pikët në këtë javë të parë të kampionatit pasi fitoi me shifrat 5-0 kundër Lushnjes në shtëpinë e myzeqareve. Edhe Skënderbeu u mund në shtëpi nga vajzat e detit, me ekipin e Teutës që arriti të gjejë gjashtë herë rrjetën e korçareve, duke siguruar kështu tre pikë mjaft të vlefshme.
Sakaq, Kukësi – Tirana është një sfidë e prapamebetur e javës së parë, që do të luhet në vijim në një datë që do të përcaktohet nga Departamenti i Garave në FSHF.
Rezultatet e ndeshjeve dhe renditja pas javës së parë:
Vllaznia 8-0 Laçi
Lushnja 0-5 Partizani
Kinostudio 0-3 Apolonia
Skënderbeu 0-6 Teuta
Kukësi – Tirana (sfidë e prapamebetur)
Renditja pas javës së parë:
1-Vllaznia 3 pikë
2-Teuta 3 pikë
3-Partizani 3 pikë
4-Apolonia 3 pikë
5-Kukësi 0 pikë
6-Tirana 0 pikë
7-Kinostudio 0 pikë
8-Lushnja 0 pikë
9-Skënderbeu 0 pikë
10-Laçi 0 pikë