
Tirana fitoi pastër me rezultatin 3-0 ndaj Korabit duke siguruar biletën për në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Golat për bardheblutë u shënuan nga Lulaj në pjesën e parë dhe Latifi me Hoxhallarin në të dytën. Pas ndeshjes trajneri Julian Ahmataj dha prononcimin e tij për mediet.
“Duke parë edhe terrenin e fushës bëmë një 70 minutësh shumë të mirë. Duhet ta mbyllnim kualifikimin pasi terreni dhe ana psikologjike mund të ndikonte në ndeshje. Jam i kënaqur me atë që dhanë lojtarët dhe tani do të shohim përpara.
Kemi një brez shumë të mirë lojtarësh që do kohë dhe komoditet për të treguar aftësitë e tyre. Edhe terreni nuk i lejonte të shpreheshin si duhet. Ata duhet të marrin minuta sa të munden për t’u përmirësuar dhe për të pasur një të ardhme me Tiranën.
Skënderbeu? Ndeshja e rradhës është e vështirë, nuk ka lidhje me Kupën. Duhet një impenjim maksimal dhe duhet të jemi shumë të shpejtë për të bërë atë që ne duam të ndërtojmë në lojë”, deklaroi Ahmataj.