
Vllaznia e Mirel Josës ka arritur të triumfojë kundër Bylisit në “Loro Boriçi”, me shifrat 2-1. Një takim që dhuroi shumë emocione në fundin e takimit ku ballshiotët pretenduan për një penallti dhe më pas Zogoviç bëri heroin duke i mohuar golin e barazimit.
Mire Josa në fundin e takimit ka folur për mikrofonin e Oversport, rreth takimit ndaj Bylis në Shkodër, që shënjon dhe sfidën e fundit për fazën e parë të kampionatit.
Prononcimi i Mirel Josës:
“Normal, mund të kishim barazuar. E kam thënë që në fillim. E kam thënë që dje. Ua kam përmendur djemve gjatë 5 ditëve. Kishim një skuadër që luan shumë në bllok. Duhet të ishim të kujdesshëm në mënyrën se si do të sulmonim ose mbronim. U vumë në vështirësi para se skuadra jonë të shënonte golin e avantazhit. Në golin e dytë nuk menaxhuam si duhet situatat. Erdhi goli që na vuri në tension sa i përket 5 minutave të fundit. Sot menaxhuam në një farë mënyrë mirë lojën sepse arritëm që të shënojmë golin e dytë. Pas golit të dytë, patëm 2-3 momente që nuk ishin në momentet dhe vendin e duhur. Ne bëmë dy ndërrime për të freskuar skuadrën. Aralica harxhoi shumë energji. Ndryshuam pak në ato momente sepse dolëm para me dy sulmues. Situatat e lojës duhet t’i kishim zgjidhur më mirë.
Ndeshja e Kupës dhe Boshnjaku? Problemi është që Alivoda ka pasur gjendje të mirë. Boshnjakun u munduam ta aktivizonim pak në Laç. Por, ndjeu sërish shqetësim. Menduam që në këtë periudhë më mirë mos të aktivizohet. Kështu ka qenë dhe Jonuzi. E vetmja gjë që Jonuzi ka pasur më pak pauzë se Boshnjaku. Do të vijnë të dy në lojë dhe do t’i gjejmë vendin të dyve.
Sulmi? Jam dakord që duhet një sulmues agresiv, por s’mund ta themi të tillë. Duhet sulmues cilësor ose që të ndërtojë më tepër. Një skuadër bazohet më shumë aty ku ndërtohet shumë. Unë bazohem shumë te lojtarët sulmues. Agresiviteti me cilësinë, ndryshojnë. Agresiv mund t’i themi dhe Kainës, në një farë mënyre. Por, më tepër, në 3-4 raste kur kishte topin në zotërim, duhet të shërbente më mirë. Fundja e fundit për të mbajtur në tension një skuadër si Bylis. Qarkulluan topin mirë. Ne vumë edhe Hoxhajn me Kainën përpara. Dolëm me një 4-4-2 për të pasur krahët të mbuluar”, tha ai.