
Labinot Ibrahimi, mbrojtësi dardan që në nisje të këtij sezoni u largua nga Partizani ndihet nostalgjik për kampionët, ndërsa nuk e fsheh dëshirën për një rikthim te Demat. Për Fan Zone, Ibrahimi që kaloi plot gjashtë vite me të kuqtë, është shprehur entuziast pasi futbolli është drejt rikthimit, ndërsa ka treguar edhe pengun me Partizanin. 33 vjecari është gati për ekipin e tij Prishtina, që këtë edicion lufton për të dy trofetë në Kosovë.
"Te Partizani kalova 6 vite shumë të bukura, familja e kuqe është e veçantë, por tani jam ambientuar edhe te Prishtina. 12 maji është data më e bukur për të gjithë njerëzit te Partizani. Të shpallesh kampion pas 26 viteve është shumë e bukur. Për mua ajo do jetë data më e bukur e jetës sime. Të them drejtën, ndjej keqardhje që e shikoj Partizanin në këtë gjendje.
Pengu i vetëm ishte që të luaja atë ndeshjen e Superkupës, por u vendos shpejt e shpejt dhe nuk mund të bëja diçka tjetër pastaj”. Do respektoj kontratën me Prishtinën, më pas do flas me drejtuesit e klubit. Nëse më jepet mundësia te rikthehem tek të kuqtë, do pranoja.
Për momentin jam i fokusuar te Prishtina. Në jemi profesionistë dhe futbollit nuk i dihet. Nëse i plotësojnë kushtet, pse jo, por kjo është në dorën e drejtuesve, nuk është në dorën time.
Ne i kemi marrë të gjitha masat dhe jemi stërvitur në distancë. Unë gjithmonë kam luftuar për titull. Prishtina lufton për dy frontet. Prishtina është gjithmonë gati dhe pritet rinisja e kampionatit”, u shpreh Ibrahimi.