Iu hoq shiriti i kapitenit, Maguire: Jam i zhgënjyer, por do të vazhdoj të jap gjithçka sa herë që të vesh fanellën
Shkruar nga NEWSPORT
Trajneri i Manchester United pak ditë më parë dha lajmin që Maguire nuk do të jetë më kapiten i ekipit. Kjo gjë nuk është pritur aspak mirë nga qendërmbrojtësi anglez që e mori rolin e kapitenit para 3 vitesh e gjysmë.
Gjithë “mllefin” e tij të mbledhur brenda që kishte ndaj Ten Hag e ka shprehur me një postim në llogarinë e tij zyrtare në Instagram.
Mbrojtësi i Manchester United dhe Kombëtares angleze shkruan:
“Pas diskutimeve me menaxherin sot ai më ka informuar se do të ndryshojë kapiten. Ai më përshkroi arsyet e tij dhe ndërsa unë personalisht jam jashtëzakonisht i zhgënjyer, do të vazhdoj të jap gjithçka sa herë që vesh fanellën.
Kështu që doja të them një falenderim masiv për tifozët e Manchester United për të gjithë mbështetjen e tyre të shkëlqyer gjatë kohës që mbaja shiritin në krah.
Që nga dita kur mora rolin, tre vjet e gjysmë më parë, ka qenë një privilegj i madh të drejtoja Manchester United dhe një nga momentet më krenare të karrierës sime deri më sot. Është një nga nderimet më të mëdha në futbollin e klubeve. Unë kam bërë gjithçka që kam mundur për të ndihmuar Unitedin të jetë i suksesshëm si brenda dhe jashtë fushës.
Unë do t'i jem gjithmonë mirënjohës Ole Gunnar Solskjaer që fillimisht më dha përgjegjësinë dhe i uroj kujtdo që ta marrë shiritin tani çdo sukses dhe ata do të kenë mbështetjen time të plotë”.