
Spikati me fanellën e Elbasanit në Superiore, u konfirmua si një talent shumë i vlefshëm te Teuta ndërsa tashmë kërkon të shpërthejë përfundimisht me Luftëtarin një skuadër tek e cila i jepet përparësi lojës sulmuese. Eri Lamçja është një nga dy afrimet e bluzinjëve në merakton e Janarit. 22-vjeçari është i lumtur për këtë aventurë të re dhe është mjaft i kënaqur me mënyrën sesi punohet te Luftëtari.
“Erdha te Luftëtari sepse gjërat për mua te Teuta nuk po shkonin shumë mirë. Gjatë muajve të fundit nuk po luaja, ndërkohë që trajneri i Luftëtarit më pëlqente dhe më dëshironte në skuadrën e tij. Me pëlqen mënyra sesi shkojnë lojtarët me njëri-tjetrin te ky klub, trajneri punon shumë mirë në stërvitje dhe mendova t'i bashkohesha Luftëtarit”, shprehet Lamçe për Supersport.
Eri Lamçja ishte një dëshirë e trajnerit të Luftëtarit Mladen Milinkovic . Nga Antalia aty ku prej disa ditësh po stërvitet me skuadrën e tij të re, sulmuesi nga Elbasani thuri elozhe për trajnerin serb duke e vlerësuar maksimalisht, Milinkoviçin.
”Të gjithë ata që flasin me superlativa për Milinkoviç kanë të drejtë sepse ai është një supertrajner, punon shumë mirë është shumë i qetë, gjithcka po shkon në mënyrë perfekte. Ekipi është në pozita të mira, pikët i ka marrë, ka fituar shumë ndeshje ka marrë rezultate pozitive duke bërë një lojë të bukur, gjithcka ka shkuar për mrekulli”.
Në fund Eri Lamçja zbuloi edhe objektivat që i ka vendosur vetes dhe që dëshiron t'i arrijë me fanellën e Luftëtarit.
“Unë këtu te Luftëtari kam ardhur për të treguar vlerat e mia, por edhe për të ndihmuar ekipin që të arrijë objektivin që i ka vënë vetes. Shpresoj të përshtatem mirë me grupin, të bëj më të mirën për skuadrën dhe pse jo të realizoj disa gola me Luftëtarin dhe të arrij nivelin në të cilin isha vjet”, përfundon intervistën për Supersport, Eri Lamçja.