
Ka pak ditë që Newcastle bëri një nga goditjet më të bujshme të merkatos. Klubi anglez përfundoi transferimin e Sandro Tonalit nga Milani në Premier League për shumën e 80 milionë eurove. Por mesa duket Newcastle nuk do të ndalet këtu me transferimin e italianëve.
Skuadra nga St James’Park po lufton fort me Manchester United për “kapjen” e mbrojtësit të majtë të Interit, Federico Dimarco edhe pse pista e këtij lojtari mbetet e vështirë pasi disa herë mbrojtësi është shprehur i lumtur në Milano. Por diçka që mund të kryhet fare thjeshtë dhe që pëlqehet dhe nga trajneri Eddie Howe është transferimi i Leonardo Bonuccit.
Interesi i tyre për qendërmbrojtësin 36-vjeçar është real pasi Bonucci nuk ka gjasa të bashkohet me Juventusin për turneun e tyre parasezonal në SHBA pasi ai do të qëndrojë në Europë për të provuar të gjejë një klub të ri. Ka dhe klube arabe që kanë interes për Bonuccin, por mesa duket Newcastle është në “Pole Position”.